Në kuadër të nismës ndërkombëtare “Erlangen Initiative”, u zhvillu në Tiranë Konferenca Rajonale për Europën Juglindore mbi Rezolutën 1540 (2004) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komunitetit akademik në fushën e kontrollit të eksporteve dhe mosshpërndarjes së armëve të shkatërrimit në masë.
Në hapje të aktivitetit, fjalë përshëndetëse mbajti Zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Blerina Abrazhda, e cila vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përfshirjes së institucioneve akademike në zbatimin e politikave të sigurisë dhe mosshpërndarjes.
Konferenca u organizua në bashkëpunim me Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në rolin e bashkëorganizatorit , duke konfirmuar angazhimin e Shqipërisë në forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit të eksporteve dhe zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare që burojnë nga Rezoluta 1540 (2004).
Shqipëria u përfaqësua në këtë aktivitet nga disa institucione shtetërore dhe akademike, ndër të cilat Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, Instituti i Fizikës Bërthamore të Aplikuar, Qendra e Inovacionit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, si dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë (dual-use), transferimin e teknologjive sensitive, sigurinë në kërkimin shkencor dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të komunitetit akademik mbi regjimet ndërkombëtare të mosshpërndarjes. Aktiviteti shërben gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e eksperiencave rajonale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.