Në datat 6–7 tetor 2026, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve , në përgjigje të ftesës për pjesëmarrje, u përfaqësua në Dialogun e Pestë të Bashkimit Evropian për Qeverisjen e Kontrollit të Eksporteve (5th EU P2P Dialogue on Export Control Governance), të zhvilluar në Bruksel, Belgjikë, në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për bashkëpunimin dhe forcimin e kapaciteteve në fushën e kontrollit të eksporteve.
Ky aktivitet ndërkombëtar mblodhi përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për kontrollin e eksporteve, organizatave ndërkombëtare, regjimeve shumëpalëshe të kontrollit, si dhe ekspertë nga industria dhe institucionet akademike, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e kontrollit të tregtisë strategjike.
Në fokus të diskutimeve ishte vlerësimi dhe verifikimi i përdorimit përfundimtar dhe përdoruesit fundor të mallrave të kontrolluara, si një element thelbësor për parandalimin e devijimit të tyre drejt përdorimeve të paautorizuara dhe për forcimin e sigurisë ndërkombëtare.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit u trajtuan çështje që lidhen me metodologjitë e vlerësimit të riskut, mekanizmat e verifikimit të përdoruesit fundor, kontrollet pas transferimit, si dhe sfidat që paraqesin teknologjitë e reja dhe zhvillimet gjeopolitike për autoritetet përgjegjëse të kontrollit të eksporteve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu përdorimit të mjeteve digjitale, inteligjencës artificiale dhe analizës së informacionit nga burime të hapura (OSINT), për përmirësimin e proceseve të vlerësimit të riskut dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve.
Pjesëmarrja e AKSHE-së në këtë aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me autoritetet homologe dhe ekspertët ndërkombëtarë, si dhe për njohjen me zhvillimet dhe praktikat bashkëkohore në fushën e kontrollit të eksporteve.
AKSHE mbetet e angazhuar në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e mekanizmave të kontrollit dhe vlerësimit të riskut, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, në funksion të zbatimit efektiv të kuadrit ligjor kombëtar dhe përafrimit me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.