Më datë 22-23 qershor 2026, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), në bashkëpunim me Programin e Bashkimit Evropian për Kontrollin e Eksporteve të Mallrave me Përdorim të Dyfishtë (EU P2P – EU CBRN CoE Project 103), bashkorganizoi në Tiranë Workshop-in Rajonal “End-User Due Diligence and Application of Catch-All Controls”.

Zhvillimi i kësaj veprimtarie të rëndësishme rajonale në kryeqytetin shqiptar reflekton rolin aktiv të AKSHE-s në forcimin e bashkëpunimit rajonal për kontrollin e eksporteve dhe mospërhapjen e mallrave me përdorim të dyfishtë.

Aktiviteti mblodhi në Tiranë pjesëtarë të autoriteteve licencuese dhe zbatuese nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore e Kaukazit, përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Bosnjë-Herzegovinën, Gjeorgjinë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Ukrainën.

Në fokus të dy ditëve të punës ishin:

  • Tendencat aktuale të përhapjes dhe devijimit të mallrave me përdorim të dyfishtë, të listuara dhe të paslistuara;
  • Forcimi i njohurive për vlerësimin e riskut të përdoruesit dhe përdorimit fundor, përfshirë identifikimin e “red flags” dhe modeleve të prokurimit me rrezik të lartë;
  • Mjetet dhe procedurat praktike për verifikimin e përdoruesit fundor, përfshirë bashkëpunimin ndër-institucional;
  • Zbatimi i klauzolave “catch-all” në përputhje me udhëzimet e Regjimit të Kontrollit të Teknologjisë së Raketave (MTCR) dhe kuadrin ligjor kombëtar.

Nëpërmjet prezantimeve nga ekspertë, shembujve praktikë dhe rasteve studimore, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe forcuan bashkëpunimin rajonal ndërmjet autoriteteve licencuese dhe zbatuese, duke kontribuar në një qasje më të përbashkët dhe të bazuar në risk ndaj kontrollit të eksporteve.

AKSHE falënderon partnerët e EU P2P për bashkëpunimin dhe mbështetjen në organizimin e këtij aktiviteti në Tiranë.