
Në datat 25–26 maj 2026, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Eksporteve (AKSHE), me mbështetjen e Programit të Bashkimit Evropian P2P për Kontrollin e Eksporteve të Mallrave me Përdorim të Dyfishtë (EU CBRN CoE Project 103) dhe Programit EU P2P COARM VII për Kontrollin e Eksporteve të Armëve, organizoi në Tiranë një aktivitet dyditor ndërgjegjësues për përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe industrisë shqiptare.
Dita e parë e aktivitetit iu kushtua rritjes së ndërgjegjësimit të industrisë së mbrojtjes mbi dallimin ndërmjet eksporteve të mallrave ushtarake dhe eksporteve të armëve të zjarrit, duke trajtuar kuadrin ligjor, detyrimet e operatorëve ekonomikë dhe procedurat përkatëse të kontrollit.
Dita e dytë u fokusua në ndryshimet më të fundit të legjislacionit shqiptar për kontrollin e eksporteve, të miratuara në mars 2026 nëpërmjet amendimeve të Ligjit nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. Gjatë sesioneve u prezantuan risitë kryesore ligjore, të cilat synojnë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit kombëtar me acquis të Bashkimit Evropian, përfshirë Rregulloren (BE) 2021/821 dhe Pozicionin e Përbashkët 2008/944/PESC.
Me pjesëmarrjen e mbi 45 përfaqësuesve nga fusha e biznesit që operojnë në këtë fushë, si dhe nga institucionet shtetërore bashkëvepruese për kontrollin e tregtisë strategjike, aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme për informimin mbi zhvillimet më të fundit ligjore, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e dialogut ndërmjet administratës dhe industrisë.
AKSHE shpreh mirënjohjen e saj ndaj partnerëve dhe ekspertëve të Bashkimit Evropian për mbështetjen e dhënë në organizimin e këtij aktiviteti, i cili kontribuon në forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit të tregtisë strategjike dhe në zbatimin efektiv të standardeve evropiane në këtë fushë.