ELTON HODAJ 

Biografi

Elton Hodaj është jurist me mbi 17 vite përvojë profesionale në fushën e mos-përhapjes, kontrollit të eksporteve, transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe mallrave me përdorim të dyfishtë, si dhe në zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në fushën e sigurisë.

Gjatë karrierës së tij profesionale, z. Hodaj ka mbajtur funksione drejtuese dhe teknike kyçe, përfshirë pozicionet e Drejtorit të Drejtorisë së Inspektimit dhe Analizës në Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, Drejtorit të Drejtorisë së Licencave dhe Autorizimeve në Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes, si dhe Përgjegjës i Sektorit të Regjistrit dhe Licencave në AKSHE, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e kuadrit ligjor, institucional dhe procedurial të kontrollit shtetëror të eksporteve.

Ai ka përvojë të konsoliduar në hartimin, zbatimin dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me acquis të Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të proceseve të integrimit evropian, si dhe në koordinimin ndërinstitucional me autoritetet përgjegjëse për sigurinë, doganat, politikën e jashtme dhe mbrojtjen.

Në nivel ndërkombëtar, z. Hodaj ka qenë i angazhuar për vite me radhë si ekspert dhe përfaqësues i Shqipërisë në mekanizma dhe forume ndërkombëtare të kontrollit të armëve dhe mallrave strategjike, përfshirë zbatimin e Traktatit të Tregtisë së Armëve (ATT), ku ka ushtruar edhe funksionin e Pikës Kombëtare të Kontaktit. Gjithashtu, ai ka shërbyer si ekspert ndërkombëtar në kuadër të programit të Bashkimit Evropian EU P2P për ATT, duke ofruar asistencë teknike dhe ekspertizë për vendet partnere në rajone të ndryshme të botës mbi çështje që lidhen me kontrollin e eksporteve, vlerësimin e riskut, listat e kontrollit dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme të armëve.

Aktualisht, z. Elton Hodaj mban pozicionin e Kryetarit të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, ku zbaton politikat kombëtare të kontrollit të eksporteve dhe mbikëqyr zbatimin e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, me fokus në sigurinë kombëtare, përgjegjësinë shtetërore dhe procesin e integrimit evropian.

Kontakt:  📧 elton.hodaj@akshe.gov.al