Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Women in Strategic Trade Controls – Pathways to Leadership”, e zhvilluar në Kyrgyzstan, një aktivitet i rëndësishëm që synon fuqizimin e rolit të grave në fushën e kontrollit të tregtisë strategjike dhe promovimin e lidershipit të tyre në këtë sektor.
Konferenca u organizua nga Bashkimi Europian, me mbështetjen e Canada Fund for Local Initiatives, OSCE Conflict Prevention Centre dhe OSCE Programme Office in Bishkek, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizat ave ndërkombëtare dhe ekspertë të fushës nga vende të ndryshme.
Gjatë konferencës, në rolin e ekspertes, përfaqësuesja e AKSHE prezantoi përvojën e Shqipërisë në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional në fushën e kontrollit të transferimeve strategjike, si dhe praktikat e mira në koordinimin ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve profesionale. Një theks i veçantë iu kushtua promovimit të barazisë gjinore dhe inkurajimit të grave për të marrë role drejtuese në këtë sektor të ndjeshëm dhe me rëndësi të lartë për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e AKSHE në këtë aktivitet konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për të kontribuar në iniciativat ndërkombëtare, për të shkëmbyer eksperienca dhe për të mbështetur fuqizimin e grave në fushën e kontrollit të tregtisë strategjike.