|
Kontrolli
shtetëror mbi mallrat ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë,
si dhe të teknologjive të tyre është një iniciativë
e përbashkët ndërkombëtare e cila lind si nevojë
e mbikqyrjes së transferimeve ndërkombëtare të mallrave
sensibël.
Kjo mbikqyrje vjen në radhë të parë si pasojë
e dispozitave të përmbajtura në Rezolutën
1540 të Këshillit të Sigurisë së
Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila përcakton
në mënyrë specifike detyrimin për shtetet anëtare
të OKB-së të marrin masa për kontrollin e transferimit
të këtyre mallrave, duke ndërtuar sisteme efikase të
kontrollit shtetëror.
Një arsye tjetër është se kontrolli shtetëror
mbi këto mallra, përbën një nga kriteret e domosdoshëm
për t'u plotësuar nga Shqipëria, të përmbajtur
në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) të firmosur
nga Republika e Shqipërisë dhe Bashkimi Europian, për
hyrjen e Shqipërisë në familjen europiane. Po kështu,
Kodi i Sjelljes për eksportin e armëve i aplikuar nga Bashkimi
Europian është miratuar në Republikën e Shqipërisë
me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 604 të datës
28.08.2003 Për miratimin në parim të Kodit të Sjelljes
së BE-së për eksportin e armëve. Bashkimi Europian
aplikon një seri normash në këtë drejtim, duke filluar
nga Rregullorja nr.1344/2000,
e ndryshuar (Rregullorja
nr.1167/2008), si dhe në një sërë pozicionesh
dhe veprimesh të përbashkëta, të cilat ndërtojnë
një sistem të ndërthurur të kontrollit të lëvizjes
së mallrave ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë.
Këto norma ndërkombëtare kanë si synim garantimin
e sigurisë në lidhje me mospërhapjen e armëve konvencionale
dhe të dëmtimit në masë, për parandalimin e
përdorimit të tyre nga terroristë apo grupe të tjera
për qëllime të paligjshme, si dhe për survejimet
e embargove të vendosura nga OKB.
Si pasojë, është një praktikë e zakonshme e
vendeve të zhvilluara, funksionimi i një sistemi të detajuar
kontrolli, brenda të cilit veprojnë, institucione dhe organizma
të cilat ushtrojnë veprimtarinë e autorizimit, verifikimit
dhe kontrollit mbi eksportin dhe importin e këtyre mallrave.
Në realitetin aktual shqiptar, për këtë lloj kontrolli
është ngritur një institucion i posaçëm,
pikërisht Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve,
veprimtaria e të cilit përfshin të gjitha aspektet e
kontrollit, duke filluar nga proçesi autorizues, deri tek kontrasti
operativ dhe zbatimi në mënyrë korrekte i normave ligjore,
nëpërmjet kryerjes së analizës, verifikimit apo
aplikimit të sanksioneve.
Mënyra më e mirë për të ndërtuar një
sistem efikas i cili thjeshton shkëmbimet tregtare të ligjshme
dhe përqëndron forcat për kontrollin e eksporteve të
ndjeshëm si dhe luftën ndaj mashtrimeve, është bashkërendimi
i punës dhe i procedurave ndërmjet autoritetit kontrollues
dhe subjekteve tregtare që veprojnë në këtë
fushë. Është tejet i dobishëm ndërgjegjësimi
i këtyre subjekteve për t'u pajisur me liçensat dhe
autorizimet përkatëse, si dhe zbatimi i procedurave ligjore.
Nga ana e Autoritetit Shtetëror të Kontrollit të
Eksporteve ekziston vetëdija dhe vullneti i mirë për
të bashkëpunuar në mënyrë të plotë
dhe transparente me subjektet tregtare duke krijuar një klimë
të dobishme dhe praktika pozitive të bashkëpunimit.
Procesi i liçensimit dhe i autorizimit për mallrat me përdorim
të dyfishtë është diçka e re në panoramën
tregtare të Shqipërisë. Deri më sot, kjo veprimtari
ishte e lirë dhe nuk parashikohej nevoja e pajisjes me liçensë
apo autorizim. Nevojat e sigurisë kombëtare si dhe detyrimet
ndërkombëtare të Shqipërisë, sjellin të
domosdoshëm nje risistemim të këtyre procedurave, edhe
për këto kategori mallrash, të cilat nëse përdoren
në mënyrë të gabuar nga subjekte të gabuar,
mund të vënë në rrezik sigurinë kombëtare.
Lista e këtyre mallrave, miratohet çdo vit nga Këshilli
i Ministrave dhe pasqyron përpikmërisht listën e mallrave
të miratura nga Bashkimi Europian.
Sidoqoftë, krijimi i AKSHE-së nuk synon aspak të
krijojë pengesa dhe barriera të reja në qarkullimin e
lirë të mallrave, përkundrazi, kontrolli mbi këto
mallra synon të ndihmojë e të lehtësojë tregtinë
e ligjshme, duke përqëndruar forcat në kontrollin e mallrave
sensibël dhe në luftën ndaj mashtrimeve.
Në mbështetje të këtij parimi, ky institucion do
të kryejë aktivitetin e tij me procedura të shpejta e
transparente, duke bashkëpunuar, informuar e asistuar subjektet
tregtare që do të marrin pjesë në këto procese.
Të gjitha procedurat e kontrollit, bazohen ligjërisht në
legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe në
traktatet ndërkombëtare, si dhe ndjekin eksperiencat e vendeve
të zhvilluara.
Në rastet kur veprimet e subjekteve janë përgjegjëse
për shkelje të legjislacionit në fushën e kontrollit
shtetëror të eksportit sipas ligjit
n.9707, i datës 05.04.2007, AKSHE mund të
aplikojë sanksione, në masat e parashikuara nga ky ligj.
Pyetje
(F.A.Q)
|
Faqje
me interes
Ndërkombëtare
Kombëtare
|